HISTORIA JONE
RRETH NESH
Ky portal është përgatitur në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (AKZM), me mbështetje financiare dhe zbatim nga Programi i Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara (PNUD), përmes projektit “Rritja e Qëndrueshmërisë Financiare të Sistemit të Zonave të Mbrojtura në Shqipëri”. Aktualisht, portali po mirëmbahet dhe përditësohet në kuadër të projektit EU4Nature, të financuar nga Bashkimi Evropian dhe Sida dhe të zbatuar nga PNUD, me synim forcimin e tij si një platformë funksionale për planifikim, vlerësim dhe shkëmbim njohurish mbi menaxhimin e Zonave të Mbrojtura. Përmes këtij projekti, po përmirësohet platforma ekzistuese e e-learning, me synim ngritjen e kapaciteteve të stafit të zonave të mbrojtura, si dhe po modernizohet baza online e të dhënave për sistemin METT, duke mundësuar një vlerësim të standardizuar dhe të krahasueshëm të efektivitetit të menaxhimit.
Projekti synon të kontribuojë në ruajtjen dhe mbrojtjen e të paktën 25% të territorit të Shqipërisë deri në vitin 2030, përfshirë zonat NATURA 2000 dhe masat e tjera të ruajtjes me bazë territori, si dhe të përmirësojë menaxhimin e zonave të mbrojtura përmes planeve të integruara dhe të buxhetuara. Ndërhyrjet përfshijnë gjithashtu forcimin e sistemeve të monitorimit dhe raportimit, rritjen e kapaciteteve institucionale dhe teknike për zbatimin e acquis të BE-së për natyrën, si dhe përfshirjen aktive të aktorëve lokalë për një menaxhim të qëndrueshëm të vlerave natyrore dhe ruajtjen afatgjatë të biodiversitetit.
AKZM, si institucioni shtetëror përgjegjës për menaxhimin e Zonave të Mbrojtura, është themeluar me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 102, datë 4.2.2015, dhe udhëheq menaxhimin e qëndrueshëm të një rrjeti që aktualisht mbulon rreth 21% të territorit të Shqipërisë.