Programi Youth for Nature sjell një hap të ri në përfshirjen e të rinjve në menaxhimin e zonave të mbrojtura në Shqipëri. Njëzet të rinj janë përzgjedhur përmes një procesi konkurrues, bazuar në profilet dhe fushat e kërkuara sipas nevojave të administratave të zonave të mbrojtura. Ata do të angazhohen në dhjetë zonat pilote të projektit, duke ofruar mbështetje të drejtpërdrejtë për stafin në përditshmërinë e punës së tyre.
Angazhimi i tyre do të shtrihet në disa drejtime: mbështetje në menaxhimin e zonave, edukim mjedisor me komunitetin dhe shkollat, punë në terren që lidhen me kërkimin dhe monitorimin shkencor, si dhe aktivitete të tjera që forcojnë ruajtjen dhe përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore.
Paralelisht me përfshirjen praktike, këta të rinj do të trajnohen mbi funksionimin e zonave të mbrojtura, kornizën ligjore, praktikat e menaxhimit dhe sfidat reale të ruajtjes së biodiversitetit. Ky kombinim i përvojës në terren dhe zhvillimit profesional synon të krijojë një brez të informuar dhe të përgatitur, të aftë për të kontribuar në të ardhmen në menaxhimin e qëndrueshëm të këtyre zonave.
Youth for Nature nuk është vetëm një program angazhimi afatshkurtër, por një investim në kapacitetet njerëzore që do të mbështesin ruajtjen e natyrës në vitet që vijnë.