Zonat e mbrojtura përfaqësojnë thesarin natyror dhe shpirtëror të një vendi. Në to ruhen peizazhe natyrore, specie të rralla dhe ekosisteme jetike për mirëqenien tonë. Shqipëria ka fatin të zotërojë pasuri të jashtëzakonshme, të cilat nuk janë vetëm destinacione turistike, por edhe pasuri kombëtare që kërkojnë përkushtim dhe mbrojtje të vazhdueshme.
Në këtë kontekst, projekti EU4Nature luan një rol të rëndësishëm në forcimin e menaxhimit të zonave të mbrojtura dhe në promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm.
Duke mbështetur institucionet vendore, rritur kapacitetet profesionale dhe nxitur përfshirjen e komuniteteve lokale, EU4Nature kontribuon në harmonizimin e praktikave tona me standardet evropiane për mbrojtjen e natyrës.
Në kuadër të përpjekjeve për të përmirësuar qeverisjen dhe menaxhimin e unifikuar dhe standardizimin e plotë të zonave të mbrojtura në rang vendi, në përputhje me Direktivën e BE-së për Habitatet dhe Shpendët, ka nisur procesi për përfshirjen e Shqipërisë në Green List të Unionit Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN), që përfshin pesë Parqet Kombëtare të fazës së parë: Lumi i Vjosës, Mali i Dajtit, Shebenik, Divjakë- Karavasta dhe Prespa.
Kontrolli aktiv dhe zbatimi i ligjit është një ndër pikat kryesore të agjencisë ku kemi mbi 31,000 monitorime dhe 128 inspektime të cilët garantuan mbrojtje reale të territorit si dhe kontratat e reja ulën informalitetin dhe rritën disiplinën në përdorimin e zonave të mbrojtura.
Te ardhurat e mara siguruan mbështetje konkrete për menaxhim dhe ndërhyrje prioritare dhe biletaria ka sjellë të ardhura te konsiderueshme dhe kontribuoi në menaxhimin e flukseve turistike.
Në prill 2025, Agjencia Kombëtare Zonave të Mbrojtura përmbylli një ndër nismat më ambicioze të saj – Rivlerësimin dhe dixhitalizimin e 724 Monumenteve të Natyrës, prej të cilave 300 janë bio-monumente dhe 424 gjeo-monumente. Çdo objekt është i pajisur me kod QR, që ofron akses të menjëhershëm në të dhënat shkencore, statusin ligjor, përshkrimin ekologjik dhe informacionin vizual.
Monitorimet e vazhdueshme gjithashtu garantuan ruajtjen e specieve dhe habitateve prioritare. Mbrojtja e zonave të mbrojtura nuk është luks, por domosdoshmëri. Ndryshimet klimatike, ndotja dhe zhvillimi i pakontrolluar mbeten kërcënime reale. Përmes angazhimeve konkrete dhe partneriteteve, ne kemi mundësinë të ndërtojmë një model të ri bashkëpunimi, ku ruajtja e natyrës dhe zhvillimi ekonomik ecin paralelisht. Zonat e mbrojtura janë investim për të ardhmen. Duke i mbrojtur sot, ne sigurojmë që kjo trashëgimi e çmuar t’u transmetohet e gjallë dhe e paprekur brezave që do të vijnë.
Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura – AKZM