NEWSROOM

Censusi Ndërkombëtar i Shpendëve Ujorë Dimërues në Shqipëri

Që prej vitit 1967, Censusi Ndërkombëtar i Shpendëve Ujorë (International Waterbird Census – IWC) përfaqëson një nga proceset më të konsoliduara dhe të standardizuara të monitorimit të biodiversitetit në nivel global. I nisur fillimisht si një studim rajonal, censusi është shndërruar ndër dekada në një burim kyç informacioni për vlerësimin e gjendjes së popullatave të shpendëve ujorë dhe të habitateve ligatinore ku ato dimërojnë.

 

Edicioni i vitit 2026 i Censusi Ndërkombëtar të Shpendëve Ujorë Dimërues u zhvillua gjithashtu në Shqipëri, si pjesë e kësaj nisme globale monitorimi, duke përfshirë institucione kombëtare, ekspertë dhe vullnetarë të angazhuar në monitorimin e biodiversitetit.

Procesi i censusit u zhvillua përgjatë 34 vendnumërimeve në të gjithë territorin e Shqipërisë, duke përfshirë si zona të mbrojtura ashtu edhe zona jashtë rrjetit të të zonave të mbrojtura. Kjo qasje siguron një pasqyrë më të plotë të shpërndarjes dhe përdorimit të habitateve nga shpendët ujorë, duke reflektuar në mënyrë realiste dinamikën e tyre hapësinore dhe presionet ekzistuese.

Në terren u angazhuan rreth 119 ekspertë, specialistë dhe vullnetarë, përfshirë 102 specialistë nga administratat e zonave të mbrojtura, të mbështetur nga ekspertë me përvojë në monitorimin e shpendëve. Përfshirja e një numri të gjerë aktorësh garantoi mbulim të plotë të vendndodhjeve, si dhe cilësi në procesin e numërimit dhe evidentimit të specieve.

 

Të dhënat e mbledhura përbëjnë informacion zyrtar, i cili përdoret për:

 

  • vlerësimin e trendeve afatgjata të popullatave të shpendëve ujorë,
  • identifikimin/konfirmimin e habitateve kyçe ligatinore,
  • orientimin e masave konkrete të ruajtjes dhe menaxhimit,
  • mbështetjen e politikave kombëtare dhe ndërkombëtare për konservimin e llojeve
  •  

Përtej vlerës teknike, censusi përfaqëson gjithashtu një proces bashkëpunues dhe gjithëpërfshirës, ku ekspertiza profesionale dhe angazhimi vullnetar ndërthuren për një qëllim të përbashkët për në mbështetje të ruajtjes së biodiversitetit ligatinor dhe të specieve të shpendëve ujorë që varen nga këto habitate. (Burimi:AKZM)