Në kuadër të projektit EU4Nature, vlerësimi i efektivitetit të menaxhimit të zonave të mbrojtura po konsolidohet si një instrument kyç për përmirësimin e performancës institucionale dhe ruajtjen afatgjatë të biodiversitetit. Përmes aplikimit të Mjetit të Vlerësimit të Efektivitetit të Menaxhimit (METT), projekti po mbështet kalimin nga vlerësime fragmentare drejt një qasjeje të strukturuar, të krahasueshme periodike për menaxhimin e zonave të mbrojtura.
METT është një mjet i njohur ndërkombëtarisht, i zhvilluar për të vlerësuar në mënyrë sistematike se sa efektivisht menaxhohen zonat e mbrojtura në raport me objektivat e tyre të ruajtjes. Ai analizon elementë thelbësorë si: kuadri ligjor dhe planifikues, kapacitetet institucionale, burimet njerëzore dhe financiare, monitorimin ekologjik, zbatimin në terren dhe përfshirjen e aktorëve lokalë.
Si u realizuan vlerësimet METT në vitin 2025
Vlerësimet METT për vitin 2025 u ndërtuan mbi një proces të përgatitur paraprakisht, i cili përfshiu rishikimin e dokumentacionit ekzistues dhe analizën e rezultateve të vlerësimeve të mëparshme. Ky proces u koordinua me administratat e zonave të mbrojtura për të siguruar që të dhënat dhe informacioni të ishin të disponueshme dhe të krahasueshme.
Takime për vlerësimin METT me pjesëmarrjen e palëve të interesit
Në mbështetje të këtij procesi, projekti organizoji trajnime të dedikuara për stafin e zonave të mbrojtura, me qëllim forcimin e njohurive dhe aftësive në përdorimin e Mjetit të Vleësimit të Efektivitetit të Menaxhimit (METT). Këto trajnime kontribuan në një kuptim më të thelluar të metodologjisë dhe në një aplikim më të qëndrueshëm dhe të njëtrajtshëm të mjetit gjatë vlerësimit.
Procesi vijoji me takimet në zona, ku administratat rajonale të zonave të mbrojtura punuan së bashku me anëtarë të Komiteteve të Menaxhimit, përfshirë përfaqësues të pushtetit vendor, organizata të shoqërisë civile, operatorë turistikë dhe aktorë të komuniteteve lokale. Takimet u fokusuan në diskutimin dhe validimin e rezultateve, duke siguruar një vlerësim të përbashkët dhe realist të efektivitetit të menaxhimit. Në përfundim të procesit, vlerësimet finale të dala nga punëtoritë u konfirmuan me menaxherët e zonave të mbrojtura dhe u bënë publike në https://akzm.net/mettv4/ .
Kjo qasje ka garantuar që rezultatet e METT të pasqyrojnë jo vetëm perspektivën institucionale, por edhe realitetin e përdorimit, presioneve dhe sfidave në terren.
Çfarë tregojnë rezultatet METT 2025, për zonat pilote të EU4Nature
Rezultatet e vlerësimit METT për vitin 2025 ofrojnë një pasqyrë të përditësuar të efektivitetit aktual të menaxhimit në 10 zonat pilote të projektit EU4Nature. Vlerësimi tregon një shpërndarje të diferencuar të rezultateve ndërmjet zonave, duke reflektuar nivele të ndryshme konsolidimi të kapaciteteve, proceseve të menaxhimit dhe zbatimit në terren.
Rezultatet e vlerësimit për 10 zonat pilot të projektit sipas komponentëve
Rezultatet variojnë nga nivele ende të ulëta ose mesatare, që tregojnë nevojë për mbështetje të mëtejshme, deri në nivele më të konsoliduara të menaxhimit, ku strukturat, proceset dhe zbatimi praktik janë më të qëndrueshme. Kjo pasqyrë nuk synon krahasimin e performancës ndërmjet zonave, por identifikimin e pikës ku ndodhet secila zonë në ciklin e saj të menaxhimit.
Në tërësi, rezultatet tregojnë një përmirësim të përgjithshëm të efektivitetit të menaxhimit, me rritje të rezultatit total në të gjitha zonat e vlerësuara. Mesatarja e rezultatit total është rritur nga 33.52 në 36.51 pikë, duke reflektuar një progres gradual, por realist, në një horizont kohor njëvjeçar, ku ndryshimet strukturore të thella nuk pritet të jenë të menjëhershme. ( Shih: https://akzm.net/rezultatet-krahasuese-midis-zonave/)
Krahasimi i rezultateve totale METT 2024 vs 2025
Megjithatë, analiza e detajuar e komponentëve të METT tregon se ky progres nuk është uniform nëpërmjet komponentëve. Përmirësimet më të dukshme vërehen në komponentët operacionalë të menaxhimit. Mesatarisht, Inputet (burime, kapacitete dhe mjete) ka shënuar rritjen më të lartë, i ndjekur nga Proceset (procedura, zbatim i rregullave dhe funksionimi institucional) dhe rezultatet (Outputs), duke treguar se ndërhyrjet e projektuara për forcimin e kapaciteteve dhe përmirësimin e praktikave të menaxhimit po përkthehen gradualisht në veprime më të strukturuara në terren.
Në të kundërt, komponenti i Planifikimit mbetet relativisht i qëndrueshëm, me luhatje minimale, duke konfirmuar se për shumicën e zonave pilote kuadri bazë ligjor ekziston ndërkohë kuadri planfikues varion sipas zonave. Sfida kryesore e sistemit nuk lidhet më me statusin formal të mbrojtjes, por me zbatimin efektiv dhe operacionalizimin e objektivave të ruajtjes.
Komponenti i Arritjeve (Outcomes) vlerëson se sa mirë po ecin zonat e mbrojtura drejt objektivave të ruajtjes. Në mungesë të të dhënave të plota të monitorimit për një pjesë të zonave, vlerësimi është mbështetur pjesërisht në gjykimin profesional dhe njohuritë e disponueshme, siç parashikohet nga metodologjia METT.
Kjo reflektohet edhe në grafikë, ku rezultatet e Outcomes shfaqin më shumë luhatje krahasuar me komponentët e tjerë. Këto luhatje nuk tregojnë domosdoshmërisht ndryshim real të gjendjes ekologjike, por pasqyrojnë kufizimet në të dhëna dhe një lexim më kritik të ndikimit të perceptuar në terren, veçanërisht në vlerësimin e vitit 2025, ku u përfshi një gamë më e gjerë aktorësh.
Analiza e rezultateve tregon gjithashtu dallime të qarta ndërmjet zonave me histori të gjatë menaxhimi dhe zonave relativisht të reja. Zona të konsoliduara prej vitesh, si PK Shebenik, PK Bredhi i Hotovës–Dangëlli, PK Mali i Dajtit dhe PK Lurë–Mali i Dejës, paraqesin rezultate më të qëndrueshme në komponentët strategjikë dhe proceduralë, duke reflektuar pjekuri institucionale. Megjithatë, edhe në këto zona, komponenti i arritjeve (Outcomes) mbetet më i moderuar, duke treguar se kalimi nga kapacitetet dhe procedurat drejt ndikimit të matshëm afatgjatë mbetet sfidë.
Në zonat relativisht të reja, si PN Bredhi i Sotirës, PN Zagoria, PN Lugina e Shalës dhe PND Porto Palermo, rezultatet e METT 2025 shfaqin variabilitet më të madh ndërmjet komponentëve. Në disa raste, përmirësimet në Inpute, Proces dhe Rezultate janë të dukshme, duke treguar një tranzicion aktiv nga faza e ndërtimit institucional drejt zbatimit praktik. Në raste të tjera, progresi mbetet më i ngadaltë dhe i pabarabartë, duke reflektuar kufizime tipike të fazës fillestare të menaxhimit, përfshirë mungesën e burimeve njerëzore dhe financiare të dedikuar, si dhe nevojën për koordinim më të fortë ndër-institucional.
Rasti i Parkut Kombëtar të Lumit Vjosa
Rezultatet METT për Parkun Kombëtar të Lumit Vjosa tregojnë një përmirësim të rezultatit total në vitin 2025 krahasuar me ciklin e mëparshëm të vlerësimit, duke reflektuar ndryshimet e ndodhura gjatë periudhës së vlerësimit. Ky progres pasqyrohet kryesisht në Inpute, Proces dhe Rezultate, të lidhura me organizimin e strukturës së re të menaxhimit dhe funksionalizimin e mekanizmave të zbatimit.
Komponenti i planifikimit paraqitet relativisht i qëndrueshëm, duke konfirmuar ekzistencën e bazës formale të menaxhimit, ndërsa komponenti i Arritjeve mbetet më i moderuar. Kjo është në përputhje me faktin se shumë nga masat e menaxhimit janë ende në fazë zbatimi dhe se rezultatet e ndikimit ekologjik kërkojnë kohë për t’u reflektuar në mënyrë të matshme.
https://akzm.net/parku-kombetar-lumi-vjosa/
Në tërësi, rezultatet METT për Vjosën dokumentojnë efektin e zhvillimeve strukturore të konfirmuara gjatë periudhës së vlerësimit, përfshirë forcimin e organizimit të menaxhimit dhe dedikimin e burimeve specifike për parkun. METT shërben kështu si një pikë reference për ndjekjen e progresit dhe qëndrueshmërisë së menaxhimit.
Një rast të veçantë përbën gjithashtu Monumenti i Natyrës “Burimet Termale të Vromonerit”, ku rezultatet METT pasqyrojnë paqartësinë strukturore në komponentin e planifikimit. Mungesa e kufijve të përcaktuar qartë të monumentit, e objektivave të formalizuara të menaxhimit dhe e stafit të dedikuar krijon vështirësi në ndërtimin e një cikli koherent planifikim–zbatim–monitorim. Këto paqartësi reflektohen në rezultate të diferencuara ndërmjet komponentëve të METT, duke treguar se sfidat kryesore të menaxhimit lidhen me qartësimin e bazës planifikuese dhe institucionale, më tepër sesa me zbatimin operacional.
Si duhen interpretuar ndryshimet ndërmjet dy cikleve të vlerësimit
Ndryshimet e vërejtura ndërmjet vlerësimeve METT të viteve 2024 dhe 2025 duhen interpretuar në kontekstin e natyrës së mjetit dhe të procesit të ndjekur. METT është konceptuar për të ndjekur progresin ose regresin e menaxhimit në kohë dhe nuk pritet të reflektojë ndryshime të mëdha brenda një periudhe të shkurtër njëvjeçare, veçanërisht për komponentët që lidhen me rezultatet afatgjata të ruajtjes.
Gjithashtu, krahasueshmëria ndërmjet dy cikleve ndikohet edhe nga evolucioni i vetë procesit të vlerësimit. Në vitin 2024, vlerësimi u realizua kryesisht si një vetë-vlerësim i administratave të zonave të mbrojtura, i asistuar nga stafi i projektit. Në vitin 2025, procesi u zgjerua duke përfshirë aktorë të tjerë relevantë, përfshirë anëtarë të Komiteteve të Menaxhimit, pushtetin vendor dhe përfaqësues të tjerë lokalë.
Kjo qasje më gjithëpërfshirëse ka rritur rigorozitetin dhe realizmin e vlerësimit, veçanërisht për komponentët që lidhen me zbatimin praktik dhe ndikimin në terren. Për rrjedhojë, ndryshimet e vërejtura, përfshirë rritje të moderuara, por edhe luhatje në disa komponentë, nuk duhen interpretuar thjesht si progres ose regres linear, por si reflektim i një vlerësimi më të balancuar dhe më kritik të efektivitetit të menaxhimit.
Në këtë kuptim, vlera kryesore e METT qëndron jo vetëm te rezultati i një viti të caktuar, por te krijimi i një baze të krahasueshme ndër-vjeçare, që lejon analizë më të thelluar dhe orienton menaxhimin adaptiv dhe prioritetet e ndërhyrjeve në vijim.