10 Qershor 2026 | Tirana International Hotel
Workshop mbi shpalljen e zonave Natura 2000 në Shqipëri
Më 10 qershor 2026, në Tiranë, projekti EU4Nature zhvilloi workshop-in mbi shpalljen e zonave Natura 2000 në Shqipëri. Aktiviteti mblodhi përfaqësues të institucioneve përgjegjëse për ruajtjen e natyrës dhe ekspertë, me fokus forcimin e njohurive dhe kapaciteteve teknike për përgatitjen e rrjetit Natura 2000.
Workshop-i trajtoi kërkesat e Direktivave të Habitateve dhe Shpendëve, kriteret shkencore për identifikimin dhe përzgjedhjen e zonave, si dhe përvojat e vendeve të reja anëtare të BE-së. Vëmendje e veçantë iu kushtua Formularit Standard të të Dhënave (SDF), i cili përmbledh informacionin ekologjik, hapësinor dhe të menaxhimit për çdo zonë të propozuar.
Analiza e paraqitur tregoi se janë identifikuar 43 zona të propozuara Natura 2000, prej të cilave 34 ndodhen plotësisht ose pjesërisht brenda rrjetit kombëtar të zonave të mbrojtura. Megjithatë, të dhënat mbeten të fragmentuara dhe nevojitet harmonizimi i monitorimit dhe krijimi i një baze kombëtare të integruar.
Në sesionin praktik, pjesëmarrësit punuan në grupe për të nisur plotësimin e SDF-ve për disa zona të parapërzgjedhura. Ushtrimi ndihmoi në kthimin e kërkesave të BE-së në hapa konkretë për mbledhjen, harmonizimin dhe administrimin e të dhënave.
Ekipi EU4Nature