Parku Kombëtar “Mali i Dajtit” është një nga zonat më të bukura natyrore të Tiranës, i vendosur në Veri- Lindje të Tiranës, i shtrirë në dy qarqe: Tiranë dhe Durrës. I pari park kombëtar që prej 16.02.1960. Me VKM nr. 402, datë 21.06.20006, sipërfaqja e Parkut Kombëtar ‘Mali I Dajtit’ zgjerohet duke arritur në 29,216.9 ha, kategoria II e IUCN. Lartësia e Malit të Dajtit është 1,613m, mbi nivelin e detit. Lartësia maksimale e tij është 1,827m, maja e Mecekut, të Shënmërisë.
PK Mali i Dajtit nuk është vetëm pjesë e peizazhit të qytetit të Tiranës, por ai është mushkëria e këtij ekosistemi te madh urban. Përbën një nga mjediset natyrore më të rëndësishëm në Shqipëri jo vetëm për vlerat e larta të biodiversitetit dhe të peizazhit që ai mbart, por edhe sepse përbën qëndrën më të madhe çlodhëse të vendit tonë për shkak të pozicionit pranë kryeqytetit të vendit. Zonë me vlera peizazhore, kulturore dhe historike e tradicionale. PK Mali i Dajtit ofron mundësi të shkëlqyera për aktivitete sportive e edukuese, përfshirë ecjen në natyrë apo shëtitjet me biçikleta, piknikë etj.
Parku kombëtar ‘Mali i Dajtit’ mund të vizitohet nëpërmjet teleferikut ose duke ndjekur rrugën automobilistike.
ZONIMI
Parku Kombëtar i Malit të Dajtit ndahet në zona ruajtjeje e administrimi, si më poshtë:
a) Zonë Qëndrore,(“ZQ” me sipërfaqe 9,101.23ha) dhe që përfshinë nënndarjet:
a/1. Zonë në ruajtje të veçantë, “ZQ1”
a/2.Zonë mjedisore natyrore, “ZQ2”
a/3.Zonë memonumente natyrore, “ZQ3”
Ato përcaktohen si zona me vlera të larta për natyrën dhe biodiversitetin dhe përfshijnë habitatet në malit e Dajtit, malin e Priskës, Brrarit dhe Fekenit. Në zonën qëndrore zbatohet shkalla e dytë e mbrojtjes, që siguron një territor të pashqetësuar.
b. Zonë Rekreative,( “ZR” me sipërfaqe 2,365.13ha) dhe që përfshinë nënndarjet:
b/1.Zonë rekreative aktive, “ZR1”
b/2. Zonë rekreative natyrore, “ZR2”
Ato përbëjnë zonën me mundësi rekreative në natyrë të hapur dhe me lehtësira, që respektojnë funksionet e parkut, vlerat ekologjike, të peizazhit natyror dhe vlerat turistike e kulturore. Në zonën rekreative zbatohet shkalla e katërt e mbrojtjes.
c. Zonë e Përdorimit Tradicional,(“ZPT” me sipërfaqe 16,602.22ha), e cila mundëson vazhdimin e veprimtarive tradicionale. Në zonën e përdorimit tradicional zbatohet shkalla e katërt e mbrojtjes.
ç. Zonë e Përdorimit të Qëndrueshëm,( “ZPQ”me sipërfaqe 1,184.27ha), në të cilën lejohen veprimtaritë ekonomike ekzistuese si dhe mund të hapen veprimtari të reja, vetëm pasi të pajisen me lejet përkatëse. Në zonën e përdorimit të qëndrueshëm zbatohet shkalla e pestë e mbrojtjes.
d. Zonë e Përdorimit Ushtarak, (“ZPU”me sipërfaqe 131.33 ha), e cila përdoret për qëllime ushtarake ose për rezidenca qeveritare.
Shkalla e Tujanit
Shkalla e Tujanit ka formën e një kanioni interesant 1,2 km i gjatë, 20 - 50 m i gjerë dhe 250 m i thellë. E çarë nga gëlqerorët e vargut malor Krujë-Dajt nga lumi i Tiranës, veçon malin e Dajtit nga mali i Priskës së Vogël (1241 metra). Në gëlqerorët janë zhvilluar mjaft dukuritë karstike (shpella etj). Gryka e Tujanit, përbën një ndër habitatet më të rëndësishëm, e cila mund të bëhet një vend shumë tërheqës për vizitorët. Në këtë territor,përpos formave fantastike të peizazhit karstik, të krijuara nga rrjedha e ujit në Lumin e Tiranës dhe impresionit që krijojnë shpatet shkëmbore me vegjetacion hazmofitik, mund të vrojtohen disa prej llojeve më të rëndësishme të florës sonë si Lulekambana e Skënderbeut (Campanula skanderbegii) dhe Lulekambana austroadriatike (Campanula austroadriatica); mund të vrojtohen të gjitha tipet e habitateve pyjore dhe shkëmbore, me të gjitha brezat përbërës si brezin e Shkurretave mesdhetare, zonën e Dushqeve dhe të Ahut. Në faqet shkëmbore përgjatë rrjedhës së ujit dhe sipër gjenden llojet endemike të disa kërminjve tokësore si Cochlostoma hoyeri, Helicigona tujana, Helicigona edlaueri, Medora proxima dhe kërmilli i madhi mbrojtur nga direktiva e habitateve, Helix pomatia. Shkalla e Tujanit është vendstrehim për shumë lloje shpendësh, përfshirë ata grabitqarë, si dhe shumë lloje fluturash.
Shpella e Zezë
E njohur ndryshe edhe si shpella e Pëllumbasit, 360 m e gjatë, 10-15m e gjerë dhe 15-45m e lartë (që nuk janë përfundimtare) është cilësuar si një nga shpellat karstike dhe vendbanimet prehistorike më të rralla të Shqipërisë dhe me mjediset e mbushura me stalaktite dhe stalagmite, përbën një objekt me vlera për të studiuar evolucionin e paleogjeografinë e gjithë zonës si dhe qarkullimin e ujërave nënëtokësore të saj. Ndodhet 25km në Jug-Lindje të Tiranës, në grykën e Skoranës, që përshkohet nga Lumi Erzen. Ka vlera unike shkencore, arkeologjike, kulturore, biologjike dhe historike, janë gjetur skelete të kafshëve të egëra (Ursus speleaus) një lloj që ka jetuar 10.000 deri 40.000 vite më parë. Gjithashtu, kjo shpellë është e veçantë sepse përmban disa mbetje të kulturës njerëzore prej periudhës së Paleolitit deri në mesjetën e hershme.
Gryka e Skoranës
Gryka e Skoranës, ndodhet në sektorin e mesëm të rrjedhjes së Lumit të Erzenit, pranë Shpellës së Zezë dhe fshatit Pëllumbas. Gryka është e gjatë rreth 1 km, e thellë mbi 120 m dhe e gjerë rreth 20 m. Shpatet janë të thepisura dhe të veshura me bimësi shkurresh. Në të njëjtën kohë gryka përbën edhe një ekosistem interesant karstik. Ajo mund të vizitohet, duke ndjekur për rreth 27 km rrugën automobilistike Tiranë - Ibë - Pëllumbas.
Rrapi i Kranës
Ky rrap ka një moshë 300 vjeçare dhe një lartësi prej 18m. Me një diametër të trungut rreth 1,7 m, perimetri i tij 5,5 m, ndërsa i kurorës 76 m. Prej këtu mund të sodisësh gjithë fushën e Tiranës, kodrat përreth, kryeqytetin etj Ai mund të vizitohet duke ndjekur për rreth 20 minuta rrugën automobilistike Tiranë - Linzë - Qafa e Priskës.
Kalaja e Dajtit
Kalaja e Dajtit, e cila ndodhet në tarracën detare të Dajtit, në lartësinë 1,200m mbi nivelin e detit, në shpatin Perëndimor të Malit të Dajtit, mbi një majë në të djathtë të rrugës që të çon nga Qafa e Priskës për në fushën e Dajtit. Mendohet se ajo mund të jetë një nga kalatë e ndërtuara nga perandori bizantin Justiniani (527-566) dhe i përket gjysmës së shek.VI. Kalaja ka një sipërfaqe prej 1.12ha.
Kalaja e Tujanit
Kalaja e Tujanit, ndodhet në afërsi të fshatit Tujan, në një nga majat e kodrave në Perëndim të varguttë Dajtit. Është një fortifikim në trajtën e një drejtkëndëshi rreth 160x190m dhe ndahet në tre pjesë prej muresh gjatësorë me drejtim Veri-Jug. Në brendësi të rrethimit shihen gjurmë banesash me mure 0.8m të gjera.
Kisha e Shën Mërisë
Kisha e Shën Mërisë së Brrarit, një nga monumentet më të njohura në zonën e Dajtit, ndodhen në bregun e djathtë të lumit të Tiranës, aty ku ai del nga shkalla e Tujanit. Vendasit i njohin rrënojat me emrin kishë.
