Buletin No. 5
Nën drejtimin e Ministrisë së Mjedisit, Shqipëria po zhvillon Strategjinë dhe Planin Kombëtar të Veprimit për Biodiversitetin, dokumenti kryesor që orienton politikat dhe masat kombëtare për ruajtjen, restaurimin dhe përdorimin e qëndrueshëm të biodiversitetit. NBSAP lidh angazhimet e Shqipërisë në kuadër të Konventës për Diversitetin Biologjik dhe Kuadrit Global të Biodiversitetit Kunming-Montreal me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe kërkesat e acquis për natyrën.
Më 10 qershor 2026, në Tiranë, projekti EU4Nature zhvilloi workshop-in mbi shpalljen e zonave Natura 2000 në Shqipëri. Aktiviteti mblodhi përfaqësues të institucioneve përgjegjëse për ruajtjen e natyrës dhe ekspertë, me fokus forcimin e njohurive dhe kapaciteteve teknike për përgatitjen e rrjetit Natura 2000.
Më 5 qershor 2026, UNESCO përfshiu Liqenin e Shkodrës në Rrjetin Botëror të Rezervave të Biosferës. Kjo njohje ndërkombëtare vlerëson rëndësinë ekologjike, peizazhore dhe kulturore të një prej ekosistemeve ujore më të rëndësishme të rajonit, të ndarë mes Shqipërisë dhe Malit të Zi.
Rezervati Natyror i Menaxhuar “Karaburun” ka tashmë një Plan Menaxhimi të miratuar, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt forcimit të mbrojtjes dhe menaxhimit të qëndrueshëm të një prej zonave më të rëndësishme natyrore të bregdetit shqiptar. Plani u miratua me Urdhrin e Ministrit nr. 77, datë 13 mars 2026, dhe do të jetë në fuqi për një periudhë 10-vjeçare.
Plani përcakton kuadrin për ruajtjen e biodiversitetit dhe vlerave të peizazhit, përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore, monitorimin dhe menaxhimin e aktiviteteve brenda zonës së mbrojtur. Ai krijon një bazë më të qartë për harmonizimin e ruajtjes së natyrës me përdorimet tradicionale, zhvillimin e qëndrueshëm dhe aktivitetet e vizitorëve.