The Vjosa River and its Delta – an inseparable hydrodynamic and ecological entity

Nga Aleko Miho, Departamenti i Biologjisë, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës. Email: aleko.miho@fshn.edu.al

Shkurt mbi Deltën e Vjosës

Lumi Vjosë ka formuar një Deltë të gjerë dhe mjaft aktive në detin Adriatik (Fig. 1 dhe 2) që shtrihet në një hapësirë prej rreth 240 km2; kjo është rreth 24% e gjithë hapësirës së ligatinave tranzitore bregdetare shqiptare, më e rëndësishmja prej tyre dhe jo vetëm… Këtu bëjnë pjesë Laguna e Nartës, grykëderdhja e Vjosës dhe zonat rreth saj, këneta me ujë të ëmbël, kallamishte, pyje bregdetarë, ishuj, duna dhe plazhe me rërë. Të gjitha janë formuar nga aktiviteti hidrodinamik dhe sedimentologjik i Lumit Vjosë dhe Detit Adriatik gjatë qindra viteve. Ende gjenden degë të vdekura të Lumit në Zhukë (Vlorë) dhe Darëzezë (Fier), të njohura si ‘lumi i vdekur’. Mbi 160 km2 i përket Peizazhit të Mbrojtur Pishë Poro – Nartë (Kategoria V e mbrojtjes sipas IUCN).

 

Delta shtrihet nga Ura e Mifolit dhe zgjerohet në zonën bregdetare nga Laguna e Nartës në pjesën jugore deri në Kanalin e Hoxharës në veri – pothuajse e bashkuar me kufirin e Deltës së Semanit. Është zonë e sunduar nga valët – një sërë ligatinash të përkohshme dhe shtrete kallamishtesh, lagunash të mëdha dhe të vogla, fushash të njelmëta dhe të kripura, duna ranore, gjurmë shtretesh lumore të vdekur, kanale kulluese dhe toka bujqësore, të gjitha së bashku interesante për larminë e habitateve dhe specieve. Zona e Deltës së Vjosës është ndër më të rëndësishmet dhe të ruajtura nga ana natyrore në të gjithë bregdetin e Adriatikut, pavarësisht ndërhyrjeve të njeriut dhe ndikimit të natyrës në 60-70 vitet e fundit (Schwarz, 2024).

Figura 1. Pamje e grykëderdhjes së Lumit Vjosë dhe Deltës së tij të gjerë në Detin Ariatik, Rajoni Vlorë-Fier, Prill 2024 (©Joshua D. Lim).

Figura 2. Harta e Zonës së Mbrojtur të Peizazhit Pishë Poro – Nartë dhe Grykëderdhja e Parkut Kombëtar të Lumit të Egër Vjosë. Kufijtë e mëparshëm (me të kuqe) dhe të rinj (me të verdhë) të Zonës së Mbrojtur (të përpunuar sipas VKM 694/2022: Shtojca 3).

Por për Deltën e Vjosës ka shqetësime si pjesë e pandarë e Parkut Kombëtar të Lumit të Egër Vjosa/Aoos. Zona e Deltës u la jashtë procesit të zonimit të PK të ri të Lumit të Egër Vjosë. U zvogëlua hapësira e ZM-së ekzistuese Pishë Poro – Nartë dhe u zbut pjesërisht shkalla mbrojtëse (VKM 694/2022) (Fig. 2). U ndërtua brenda zonës së mbrojtur Aeroporti i Vlorës. Ekzistojnë plane zhvillimi të infrastrukturës turistike në zonë, të mbështetura edhe nga ndryshimet e Ligjit ekzistues për ZM-të (Ligji 21/2024).

Delta e Vjosës nën fokusin e shkencës

Në Lumin Vjosë dhe Deltën e tij janë kryer pesë Javë Shkencore, në Prill 2022, Prill 2023, Prill 2024, Prill-Maj 2025. Gjetjet dhe rekomandimet u sollën në Simpoziumin e Vlorës, në Tetor 2023, si dhe në Vëllimin e Deltës së Vjosës (Miho et al., 2024; i hedhur në: https://fshn.edu.al/Info/delta-vjose). Është vizituar e gjithë zona e Deltës (Fig. 3), nga Pylli i Sodës, Laguna e Nartës, e Kallengës dhe Limopuo, Gadishulli i Zvërnecit dhe dunat ranore pranë, Diga e Kripores, Lumi i Vdekur (Zhukë), kënetat dhe dunat pranë, këto nga ana e Vlorës; kënetat dhe dunat në pjesën veriore të Deltës në Fier, duke përfshirë Lumin e Vdekur në Darëzezë. Vlen të përmendet se zona e Deltës së Vjosës në vite është përdorur si laborator në terren për studiues dhe studentë, për punime diplomash ose doktorate. Shumica e të dhënave janë botuar dhe paraqitur në ngjarje të ndryshme shkencore në vend dhe jashtë vendit.

Figura 3. Çaste nga Java Shkencore në Peizazhin e Mbrojtur Pishë Poro - Nartë (Delta e Vjosës) në 22-27 prill 2024.

Simpoziumi Ndërkombëtar i Deltës së Vjosës (VDIS 2023) u mbajt në Vlorë, më 27-28 tetor 2023 (Fig. 4). Në të morën pjesë 45 shkencëtarë nga vendi dhe rajoni (Austri, Itali, Slloveni dhe Greqi). U mbajtën gjithsej 20 prezantime, 13 prej të cilave kushtuar Deltës, larmisë gjeologjike, gjendjes ekologjike dhe biodiversitetit, kërcënimet. Përfaqësues të institucioneve përgjegjëse qeveritare, qendrore dhe vendore, u ftuan gjithashtu në këtë aktivitet për të shpalosur mendimet e tyre.

Ekspertët bënë përpjekje për të përmbledhur të dhënat në një Vëllim Special dygjuhësh të Deltës së Vjosës (Fig. 5), me një këndvështrim shkencor-popullor. Gjithsej janë 15 punime, me 37 bashkautorë nga Shqipëria, Austria, Sllovenia, Italia; në të jepen të dhëna të përditësuara mbi ekosistemin natyror/ligatinor të Deltës së Lumit Vjosë: gjeografi, peizazh, paprekuri, habitate, florë dhe bimësi (ujore dhe tokësore), invertebrorë (ujorë dhe tokësorë), amfibë dhe zvarranikë, peshq, shpendë dhe gjitarë, shkalla e ndjeshmërisë dhe kërcënimet. Përveç të dhënave shkencore, jepen rekomandime në lidhje me ndjeshmërinë dhe kërcënimet ndaj habitateve dhe specieve. Qëllimi është të ndihmohet vendimmarrja dhe politikëbërja, investitorët dhe palët e tjera të interesuara për të gjetur mënyrat më të mira për zhvillimin e zonës, si dhe mbrojtjen dhe ruajtjen e vlerave natyrore.

Figura 4. Gjatë Simpoziumit Ndërkombëtar të Deltës së Vjosës (VDIS 2023), Vlorë, 27-28 tetor 2023.

Figura 5. Kopertina kryesore e Vëllimit dygjuhësh të Deltës së Vjosës; majtas, e vëllimit anglisht dhe shqip; mes dhe djathtas, e dy vëllimeve të veçanta në shqip dhe anglisht: Vlerat natyrore dhe biodiversiteti i Deltës së Vjosës – gjendja sot dhe kërcënimet / Natural values and biodiversity of the Vjosa Delta – current situation and threats. Përmbledhje punimesh / Collected works. Përgatitur nga: / Cured by: Aleko Miho, Ferdinand Bego, Sajmir Beqiraj. Variant elektronik & i shtypur / Electronic & printed version (ISBN: 9789928363961). Hostuar në: / Hosted in: https://fshn.edu.al/Info/delta-vjose.

Aktivitetet e Deltës së Vjosës ishin bashkëpunim midis Projektit VjoSusDev 2022-2026 në sinergji me projektin ESPID4Vjosa: Përmirësimi i Zhvillimit të Ndërfaqes Shkencë-Politikë për Vjosën, të udhëhequr nga OJF-të Euronature & Ecoalbania. Aspektet financiare dhe logjistike u mundësuan në bashkëpunim me OJF-të Euronature (Gjermani), Riverwatch (Austri), Ecoalbania. Përgatitja për shtyp dhe shtypja e Vëllimit të Deltës së Vjosës u mbështetën nga Fondacioni Hans Wilsdorf. Ndarja e dorëshkrimit dygjuhësh në dy pjesë, shqip dhe anglisht, si dhe përgatitja për shtyp, u bë nga Spontan Creative Media. Librat u shtypën nga West Print Albania. Vlen të përmendet se OJF-të e lartpërmendura dhe shumica e ekspertëve kanë mbështetur ndër vite njohjen e vlerave natyrore të Shqipërisë dhe mbrojtjen e tyre, veçanërisht të lumit Vjosë, dhe shpalljen e tij si Park Kombëtar, por jo vetëm…

 

Shkurt mbi vlerat natyrore të Deltës së Vjosës

Zona strehon deri 18 habitate të Natura 2000, ku 6 janë të listuara si habitate në përparsi, që do të thotë se ato kanë nevojë për masa të veçanta mbrojtëse. Këto habitate (këneta dhe duna bregdetare, laguna, ujëra të kripura, etj.) janë në gjendje të mirë natyrore, me integritet të lartë ekologjik. Laguna e Nartës (41.5 km2) është ndër ekosistemet më të mëdha dhe më të rëndësishme të ligatinave, jo vetëm përgjatë bregdetit shqiptar, por në të gjithë Adriatikun Lindor. Jeta bimore dhe shtazore gjallon në këto habitate, me shumë specie të rralla dhe të kërcënuara. Habitatet ofrojnë strehim, ushqim dhe kushte riprodhimi për shumë lloje kafshësh: insekte, midhje, peshq, amfibë, zvarranikë, gjitarë dhe veçanërisht shpendë.

Për Deltën e Vjosës njihen deri sot rreth 2,310 specie (1,350 bimë, 70 lloje kërpudhash dhe 890 lloje shtazore). Bimët përfshijnë: 550 alga, 28 myshqe dhe 770 bimë vaskulare. Nga speciet shtazore, 460 janë invertebrorë (ndër to 92 molusqe dhe 287 insekte me krahë) dhe 383 vertebrorë (102 peshq, 26 zvarranikë dhe 9 amfibë, 248 shpendë dhe 46 gjitarë). Rreth 198 specie të rrezikuara raportohen se gjenden në habitate të ndryshme, ose rreth 47% e specieve të rrezikuara të kafshëve për të gjithë territorin shqiptar.

Delta e Vjosës është Zonë e Rëndësishme për Shpendët (IBA) (BirdLife International, 2023), që përmbush kriteret A1, A4i, A4iii, B1i (2000), por me kërcënim shumë të lartë. Laguna e Nartës është e dyta në vend për nga rëndësia për shpendët ujorë (20,000 shpendë dimërues dhe mbi 40 lloje) (Bino, 2024). Zona Pishë Poro – Grykëderdhja e Vjosës (Vlorë) përfshihet midis Zonave të Rëndësishme Bimore (IPA) (kodi A35) (Radford et al., 2011). Zona është gjithashtu kandidate për rrjetin NATURA 2000, si habitatet më të qeta dhe të pasura me ushqim që mbështesin shumë lloje në rrugën e tyre migratore. Laguna

Limopuo, Dunat e Nartës, Pylli i Zvërnecit dhe Kodrat Molasike të Zvërnecit janë në listën e Monumenteve Natyrore (Kategoria III; VKM 303/2019) (Fig. 8).

Figura 6. Grafik i përditësuar mbi biodiversitetin në Peizazhin e Mbrojtur Pishë Poro – Nartë (Delta e Lumit Vjosë) (Të dhëna nga Miho et al., 2024; hedhur në: https://fshn.edu.al/Info/delta-vjose).

Figura 7. Foto llojesh përfaqësuese nga Peizazhi i Mbrojtur Pishë Poro – Nartë (Delta e Lumit Vjosë) (Të dhëna nga Miho et al., 2024; hedhur në: https://fshn.edu.al/Info/delta-vjose).

Figura 8. Monumentet Natyrore: Laguna Limopuo, Dunat e Nartës (Akërni-Poro), Pylli i Zvërnecit dhe Kodrat Molastike të Zvërnecit (Kategoria III; VKM/VKM 303/2019) brenda Peizazhit të Mbrojtur Pishë Poro – Nartë (Delta e Lumit Vjosë).

 

Ndërtimi i aeroportit brenda zonës, urbanizimi i mëtejshëm dhe praktikat e tjera jo miqësore, padyshim do të shkaktojnë uljen e mëtejshme të vlerave natyrore, të integritetit të habitateve, në fragmentimin e tyre dhe uljen e biodiversitetit, duke dobësuar qëndrueshmërinë e ekosistemve dhe ulur shërbimet e tyre. Të gjitha këto nuk mund të jenë në frymën e shpalljes së PK të Lumit të Egër Vjosë, përkundrazi, ato bien ndesh me vlerat e vërteta të këtij Parku. Për më tepër, planet e MIE janë në kundërshtim me zbatimin e standardeve të BE, Direktivave për Shpendët dhe Habitatet, Direktivës Kornizë të Ujit (DKU, 2000), dhe strategjisë së BE për të ndaluar humbjen e biodiversitetit, si dhe të gjitha organizatave ndërkombëtare që merren me mbrojtjen e zonave të tilla bregdetare (Konventat: Ramsar, Bernë dhe Barcelonë; IUCN, WWF, etj.). Mendimi i përbashkët i ekspertëve është se Delta e Vjosës (nga Darëzeza në Lagunën e Nartës) duhet të lihet e lirë, e paprekur nga projektet masive të ndërtimit. 

Peizazhi i Mbrojtur Pishë Poro – Nartë duhet të shpallet Park Kombëtar (Kategoria II); bashkë me PK të Lumit Vjosë, ato formojnë një unitet të pandarë hidrodinamik dhe ekologjik.