Rreth PKD Karaburun - Sazan
I vetmi Parku Kombëtar Detar, ai i Karaburun-Sazan është një mrekulli e gjallë e natyrës Shqiptare. Ky park konsiderohet si shtëpia e 36 specieve detare me rëndësi ndërkombëtare mes tyre kemi dhe specie të cilat i përkasin listave të llojeve të rrezikuara. Ekosistemi ujor/detar “Karaburun – Sazan”, i shpallur “park kombëtar detar” (kategoria II), me Vendim të Këshillit të Ministrave nr.59, datë 26.01.2022 zgjerohet nga 12 428 ha në 12 437.7 ha.
Shtrihet në hapësirën detare me gjerësi 1 milje detare, përgjatë Gadishullit të Karaburunit (nga Kepi i Shën Vasilit deri te faqja e Langadhës) dhe rreth Ishullit të Sazanit.
Shpatet e Gadishullit të Karaburunit janë vende tejet të rrëpira në anën perëndimore, me kulme të larta në pjesën qendrore. Bregu Perëndimor i Gadishullit skalitet nga shpella dhe kanione të thella, që rrallëherë përfundojnë me plazhe zalli ose xhepa rëre. Shpatet e tij karakterizohen nga shkëmbinj të lartë vertikalë që vazhdojnë nën ujë në thellësi të mëdha. Këta shkëmbinj janë tepër të gërryer dhe mund të vërehen një numër i madh shpellash, kryesisht nënujore, aty ku shpesh rrjedhin burime të ujërave të ëmbla.
Gadishulli i Karaburunit është vendi më i spikatur me cilësi mesdhetare. Karakterizohet nga një nivel shumë i ulët turbullimi të ujit. Mjedisi medio-litoral karakterizohet nga formacione koralogjene ndonjëherë mbi një metër, të përbëra prej algash koralogjene, lloj i mbrojtur dhe shumë i veçantë nga pikëpamja gjeo-morfologjike, biologjike dhe turistike, dhe që mund të shfaqet me pamje jashtëzakonisht të mahnitshme.
Ishulli i Sazanit (16km i gjatë dhe 3-5km i gjerë), përballë Vlorës dhe në veri të Gadishullit të Karaburunit, ka një formë elipsoide në veri-verijug-juglindje, duke pasur majën kulmore në lartësi 345m, tek Gryka e Djallit. Pjesa perëndimore karakterizohet nga brigje shkëmbore vertikale që janë skalitur nga kanione të thella dhe që zgjerohen nga shpella të shfaqura kryesisht nën-ujë, siç shfaqen tek Gadishulli i Karaburunit. Kanionet më të rëndësishme janë tek Kepi i Pëllumbave dhe Gryka e Ferrit. Në pjesën lindore, vija bregdetare është më e ulët dhe pjesa jugperëndimore e saj formohet nga shtresa të rrëpira gëlqerore që zhyten në det.
Natyra
harta
aktivitete
na ndiq
Adventures
await
Kerko informacion