
rreth parkut
Parku Kombëtar i Llogarasë gjendet në juglindje të qytetit të Orikumit dhe 37 km larg qytetit të Vlorës. Me Vendim të Këshillit të Ministrave nr.59, datë 26.01.2022 ky park zgjerohet të sipërfaqes së ekosistemit natyror “Llogora”, shpallur “park kombëtar” (kategoria II), nga 1 010 ha në 1 769.2 ha.
Gjendet afro 40 km në juglindje të qytetit të Vlorës, në kufirin hapësinor midis detit Adriatik dhe Jon. Formohet nga një pellg ujëmbledhës me pyje, kullotë e livadhe dhe vende shkëmbore, tepër të thepisur. Afro gjysma e sipërfaqes ka pjerrësi mbi 30 gradë, me kundrejtim veriperëndimor, me lartësi nga niveli i detit që varion nga 450-2,018m, maja e Qores. Toka është e murrme pyjore dhe livadhore malore, mbi gëlqeror.
Në këtë park gjenden të gjitha zonat e bimësisë së vendit tonë. Zona e pyjeve dhe shkurreve mesdhetare, me lartësi 470-600m; Zona e dushkajave, në lartësitë 600-800m; Zona e Ahut, në lartësitë 800-1,300m dhe Zona e kullotave alpine, në lartësitë 1,300-2,000m. Për të mundësuar realizimin e objektivave të ruajtjes së parkut studimet e më vonshme kanë marrë në konsideratë të gjithë rajonin: Llogara, Rrëza e Kanalit, Karaburun, Laguna e Orikumit, Lugina e Dukatit dhe Gjiri i Dukatit.
Një gamë e gjerë ekosistemesh me male të lartë (deri në 2,000m), lugina alpine dhe subalpine, lloje të ndryshme pyjesh (të përzier halorë me gjethegjerë), kullota, habitate bregdetare, prezencën e burimeve ujore të pijshëm; burimet karstike, laguna, përrenj, shpellat etj. Flora dhe bimësia në këtë rajon është e pasur dhe interesante, njihen rreth 1400 lloje të bimëve të larta.
Me interes shkencor janë shoqërimet bimore: Pishë e zezë e thjeshtë mbi gëlqeror, përzierjet Bredh me Pishë të zezë, Bredh me Panjë mali, Bredh me Mëllezë, Bredh me Pishë të zezë e Mëllezë; Bredh me Panjë e Mëllezë, Rrobulli me Pishë të zezë; Mëllezë e thjeshtë, Buxo, Pinetum nigrae, Pinus nigra-Quercus cocciferae, etj. Këto shoqërime janë të gërshetuar me nënpyll, ku mbizotëron Bushi, Urthi etj. Gjenden dhe grumbuj me moshë të vjetër mbi 150-200 vjet.
Bimët mjekësore dhe aromatike përbëjnë një pasuri me vlera ekonomike dhe shkencore, disa prej tyre janë shumë të rralla. Llojet kryesore që takohen në këtë rajon janë: Bar pezmi, Bari i bletës, Mentha pulegium, Agulicia, Mëllaga e pyllit, Rigon i bardhë, Sherebela, Çaj mali, Xhërrokulli vjeshtor, disa lloje kërpudhash si Kërpudha e Çezarit, Kërpudha e Ariut dhe një numër të konsiderueshëm dru frytor.