Rreth rezervatit natyror
Cfare eshte Rezervat Natyror i menaxhuar?
Përfaqëson një hapësirë shumë të madhe, me potenciale të rëndësishme si për biodiversitetin ashtu dhe zhvillim ekonomik e turistik.
Rezervat Natyror i Menaxhuar “Karaburun”, pjesë e Qarkut Vlorë, me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 60, datë 26.1.2022 u miratua ndryshimi i sipërfaqes së ekosistemit natyror “Karaburun”, shpallur “rezervat natyror i menaxhuar” (kategoria IV e zonave të mbrojtura), nga 2 000 ha në 17 490.7 ha.
Ndodhet në Gadishullin e Karaburunit; deri 1,446m (maja e Gjipalit) nga rrafshi i detit. Gadishulli i Karaburunit, shënon fillimin e degëzimit perëndimor të Maleve Bregdetare. Ky gadishull zë fill në juglindje të ngushticës së Gjuhëzës (midis Sazanit dhe Kepit të Gjuhëzës) dhe vijon deri në qafën e Llogorasë.
Përbëhet kryesisht nga gëlqerorë të kretës dhe ka reliev kodrinor. Lartësia e tij rritet në drejtim të juglindjes, deri në pllajën e Ravenës. Në veri ndodhet Maja e Ilqes (731m), ndërsa në jug Maja e Koretës (826m). Kjo pjesë ka kreshta të rrumbullakëta dhe shpate të thepisura, ku gjenden përrenj të rrallë e të thatë, më tepër gurorë.
Në jug të Majës së Koretës ndodhet pllaja e Ravenës, me lartësi rreth 300m. Formimi i saj lidhet me dy shkëputje të mëdha, në veri e jug. Me sa duket, ajo është e kapur nga lëvizje ngritëse me amplitudë më të vogël sesa pjesa tjetër e gadishullit. Kjo pllajë është e sheshtë dhe me forma karstike. Në juglindje të saj ngrihet gradualisht mali i Rrëzës së Kanalit. Në këtë drejtim radhiten majat e Sinan Dukës (818m), Kollovoçkës (238m) dhe Shën Ilisë (1,498m), ku kreshta bëhet më e ngushtë, deri e thepisur.