Sinergjitë dhe koordinimi si parakushte për zgjidhje të bazuara në natyrë

Sinergjitë dhe koordinimi si parakushte për zgjidhje të bazuara në natyrë

Zbatimi në shkallë të vogël i masave prioritare të konservimit në Parkun Kombëtar Vjosa

 

Zgjidhjet e Bazuara në Natyrë (Nature Based Solutions – NbS) po njihen gjithnjë e më shumë si mjete thelbësore për adresimin e humbjes së biodiversitetit, degradimit të ekosistemeve dhe ndryshimeve klimatike. Megjithatë, efektiviteti i tyre nuk varet vetëm nga dizajni i mirë ekologjik, por edhe nga koordinimi i fortë ndërinstitucional, harmonizimi me planet e menaxhimit dhe përfshirja aktive e komuniteteve lokale. Projekti EU4Nature demonstron se si këto sinergji mund ta shndërrojnë planifikimin strategjik në veprime konkrete konservimi përmes zbatimit në shkallë të vogël të masave prioritare NbS në Parkun Kombëtar Vjosa.


Nga planifikimi i menaxhimit te ndërhyrjet e fokusuara

Në kuadër të EU4Nature, u realizua një analizë e thelluar e statusit të planifikimit të menaxhimit për Parkun Kombëtar Vjosa. Kjo analizë shërbeu si bazë për identifikimin e Zgjidhjeve më të përshtatshme dhe më relevante të Bazuara në Natyrë, plotësisht të harmonizuara me objektivat operacionale të Planit të Menaxhimit të Parkut.

U vendos një koordinim i ngushtë ndërmjet RAPA Vlorë, Administratës së Parkut Kombëtar Lumi Vjosa dhe ekspertëve të projektit për të përcaktuar së bashku ndërhyrjet prioritare. Si rezultat, ripyllëzimi dhe pyllëzimi u identifikuan si masa kyçe NbS për rikuperimin e tokave të degraduara, rritjen e qëndrueshmërisë së ekosistemeve dhe forcimin e ruajtjes së biodiversitetit përgjatë segmentit të poshtëm të lumit Vjosa.


Ripyllëzimi si një Zgjidhje e Bazuar në Natyrë me përfitime të shumëfishta

Ndërhyrja e përzgjedhur fokusohet në rehabilitimin dhe ripyllëzimin e 3 hektarëve tokë të degraduar në zonën e Rromës, Mallakastër, brenda Parkut Kombëtar Vjosa. Ndërhyrja synon të:

  • rivendosë mbulesën pyjore autoktone dhe habitatet natyrore;
  • përmirësojë biodiversitetin, duke krijuar kushte më të favorshme edhe për speciet migratore;
  • rrisë stabilitetin e tokës dhe të reduktojë rrezikun e erozionit;
  • shtojë kapacitetin për sekuestrimin e karbonit dhe të kontribuojë në zbutjen e ndryshimeve klimatike;
  • forcojë lidhshmërinë ekologjike përgjatë korridorit lumor të Vjosës

Të gjitha masat zbatohen në përputhje të plotë me Planin e Menaxhimit të Parkut, duke garantuar që investimet direkte të mbështesin objektiva afatgjata të konservimit dhe jo veprime të izoluara.


Zbatimi i koordinuar dhe aspektet teknike

Pas hartimit të Termave të Referencës të detajuara, procesi i prokurimit u përfundua me sukses dhe u përzgjodh një kompani e specializuar për realizimin e punimeve.


Zbatimi filloi me përgatitjen e terrenit, duke përfshirë:


  • trajtimin e tokës dhe stabilizimin e sipërfaqeve të prirura ndaj erozionit;
  • mbrojtjen dhe ruajtjen e zonës, me mbështetjen e anëtarëve të komunitetit lokal.

Punimet vijojnë me aktivitetet e mbjelljes, që përfshijnë:

  • përzgjedhjen e specieve autoktone të përshtatura me kushtet ekologjike lokale;
  • skema të përshtatshme mbjelljeje dhe kombinime të fidanëve;
  • përgatitjen e tokës dhe hapjen e gropave sipas dimensioneve standarde;
  • aplikimin e teknikave të fertilizimit dhe strategjive të ujitjes për të garantuar mbijetesën e fidanëve.

Gjatë gjithë procesit ofrohet këshillim teknik dhe mbikëqyrje e vazhdueshme për Administratën e Parkut Vjosa, duke mbuluar teknikat e mbjelljes, kërkesat e mirëmbajtjes dhe qasjet e monitorimit

Mirëmbajtja, monitorimi dhe menaxhimi adaptiv

Ndërhyrja është konceptuar si një cikël i plotë NbS dhe jo si një aktivitet i njëhershëm. Ajo përfshin masa të mirëmbajtjes dhe monitorimit, si:

  • pastrimin e barërave të këqija dhe kontrollin e dëmtuesve;
  • ndjekjen e rritjes dhe shkallës së mbijetesës së fidanëve;
  • rimbjellje aty ku është e nevojshme për të siguruar sukses afatgjatë.

Kjo qasje mbështet menaxhimin adaptiv dhe garanton që përfitimet ekologjike të ruhen dhe forcohen me kalimin e kohës.

 

Zbatimi i bazuar në komunitet dhe përfitimet lokale

Një element dallues i kësaj ndërhyrjeje është qasja e saj e bazuar në komunitet. Banorët lokalë janë të angazhuar drejtpërdrejt si forca kryesore e punës në përgatitjen e terrenit, mbjellje dhe mirëmbajtje.

Duke lidhur restaurimin e ekosistemeve me përfitime të prekshme për komunitetin lokal, ndërhyrja forcon bazat sociale të domosdoshme për suksesin afatgjatë të konservimit.