Ndodhet në verilindje të qytetit të Krujës, në jug të malit të Skënderbeut, në qafën midis këtij mali dhe malit të Xibrit, në lartësitë nga 525-1,724m. Përshkohet nga rruga automobilistike që lidh Krujën me Burrelin dhe luginën e Matit. Dallohet për natyrën e veçantë, me forma interesante të relievit strukturor, akullnajor dhe eroziv, për peizazhin mahnitës, burimet me ujë të pastër, të ftohtë dhe kurues; për botën e egër të pasur dhe të larmishme.
Bën pjesë në zonën malore qëndrore. Përfshin një ekosistem natyror tokësor i vendosur kryesisht mbi formacione gjeomorfologjike ultrabazike, flish alevrolite-ranoro-mergelor dhe gelqeror-mergelor. Në jug;indje të grykës së Matit ngrihet Mali i Skënderbeut (1,724m), me majën e Shkallës së Valës dhe të Mëllezit (1,113m), të përbëra nga gëlqerorë. Më në juglindje gëlqerorët ngushtohen, ulen dhe marrin karakterin e blloqeve të veçuara.
Vargjet malore të Skënderbeut përbëhen nga dy vargjet kryesore: nga vargu Krujë-Dajt, në perëndim, dhe vargu mali i Skënderbeut-Mali me Gropa, në lindje. Midis këtyre qafave dallohet Shkalla e Vajës dhe Qafa e Shtamës (1,230m) etj. Zona ndërtohet nga gëlqeroret e Trias-Jurasit dhe të Kretës së sipërme, nga magmatiket dhe pjesërisht nga flishe.
Vargu malor Krujë-Dajt karakterizohet nga një strukturë e rrudhosur e tipit linear e prirur nga perëndimi, me njërin krah të përmbysur, zakonisht të ndërlikuar nga shkëputjet tektonike, e cila kalon gjatë rrëzës perëndimore, të vargut malor Krujë-Brar-Dajt.
Vargjet malore ndërpriten tërthor nga luginat lumore të përrenjve Zezës dhe Drojës, që formojnë në gryka të thella e tepër të ngushta që presin vetëm vargun Krujë-Dajt. Shtretërit e këtyre përrenjve kanë gjerësi prej 10-40m, në lumin e Zezës, shtrati zgjerohet 50-80m. Duke vazhduar rrjedhjen e tyre nga lindja në perëndim, kanë formuar dy gryka të ngushta dhe të thepisura: Shkallën e Vajës dhe Grykën e Zezës.
© 2023 Parqet Kombëtare. Zonat e Mbrojtura. All rights reserved.