Parku Kombetar Divjake – Karavasta
Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta është një zonë e mbrojtur në zonën bregdetare të Shqipërisë, përbëhet nga ekosisteme komplekse, shumë të pasura në biodiversitet dhe burime natyrore. Është shpallur edhe si zonë e mbrojtur natyrore për shpendët e ujit, si ligatinë me rëndësi nderkombëtare sipas Konventës së Ramsarit, që nga viti 1995. Me vendim të Këshillit të Ministrave nr.59, datë 26.1.2022 ky park zgjerohet nga 22 230.2 ha në 22 389.08 ha.
Shtrihet si një hark i gjelbër anës detit Adriatik, gjendet rreth 5km larg qytetit të Divjakës dhe afro 70km larg Tiranës. Ai kufizohet nga lumi Shkumbin në veri, nga kodrat e Divjakës në Lindje, nga kanali i Myzeqesë dhe lumi Seman në jug, dhe laget nga deti Adriatik në perëndim.
Zona e parkut kombëtar Divjakë-Karavasta është zona më e rëndësishme komplekse e Shqipërisë për sa i përket biodiversitetit. Kjo zonë strehon përqendrimin më të lartë të shpendëve ujore rreth 51 000 individë, dhe rreth 500 çifte folenizues në Shqipëri. 89 specie të ndryshme që përfaqësojnë grupet e molusqeve, insekteve, amfibëve, zvarranikëve, zogjve dhe gjitarëve, të pranishme në zonën e parkut, janë konsideruar si të kërcënuara në Shqipëri. 42 specie i përkasin kategorive shumë të rrezikuara, duke përfshirë rrezik kritik, të rrezikuara dhe vulnerable. Është, pa dyshim, zona më e rëndësishme e mbrojtur përgjatë hapësirë sonë bregdetare, madje nga më të rëndësishmet në brigjet e Mesdheut.
Ishulli i Kularit ndodhet pranë deltës së lumit Shkumbin, 0,5m mbi nivelin e detit, i formuar si rezultat i prurjeve aluvionale të lumit. Ishulli është i mbuluar nga shkurret, plep i egër, dru cedri, kullota dimërore dhe lloje të ndryshme bimësie të gjelbër. Aty mund të gjenden disa lloje shpendësh ujorë, veçanërisht, pelikani Dalmat.
© 2023 Parqet Kombëtare. Zonat e Mbrojtura. All rights reserved.