Mali Tomorrit

Mali i Tomorrit është një mal i veçantë e mbresëlënës të cilin mund ta vizitoni në çdo periudhë të vitit, nga larg ky mal të jep përshtypjen e një kështjelle natyrore, bukuritë e të cilit janë evidente në çdo stinë. Me Vendim të Këshillit të Ministrave nr.59, datë 26.01.2022 ky park zgjerohet nga 26 106.176 në 27 158.5 ha.

Mali i Tomorit ndodhet në lindje të qytetit të Beratit e Poliçanit, në jug-juglindje të Çorovodës, në perëndim të Gramshit dhe në pjesën më veriore të vargut malor Tomor Kulmak-Miçan.

Shtrihet mbi formacione gjeologjike të shumëllojshme, të dominuara kryesisht nga gëlqerorë dhe shkëmbinj porozë. Relievi i shumëllojshëm dominohet sidomos nga majat e larta (Çuka Partizan 2,417m, Kulmaku 2,175m etj.), ku nuk mungojnë edhe xhepat me dëborë të përhershme. Në lartësitë veriore dhe verilindore gjenden dy pragje akullnajore dhe disa cirqe akullnajore të thjeshta e komplekse (MN), që të mahnitin me ashpërsinë dhe formën e tyre. Pjesa jugore është shumë uniforme, e mbushur me forma karstike, jo rrallë në formën e hojeve të bletëve, shpella dhe puse të thella karstike.

Dallohen dy përrenj që derdhen në lumin e Devollit: përroi i Sotirës dhe i Tomoricës, që burojnë në anën lindore të malit të Tomorit. Në luginën e Tomoricës ka disa burime karstike, dallohen burimet e Kërpicës dhe të Sotirës, ndërsa burimet e Ujanikut, lidhen me depozitimet morenore. Burime ka edhe në rrëzë të shpatit perëndimor, ndër të cilët dallohen burimet e Tomorit dhe të Bogovës. Uji përdoret nga bashkësitë vendore për ujin e pishëm, ujitjen, energji elektrike dhe veprimtari rekreacioni.

Parku dallohet për biodiversitet të theksuar: shkurre mesdhetare, dushqe, ahishte, halorë dhe kullota subalpine e alpine. Bimësia përfaqësohet nga të 4 katet bimore të vendit.

Parku dallohet për botë shtazore shumë të larmishme: Gjenden 11 lloje amfibësh, si: Bretkosa barkverdhë, Thithëlopa dhe Tritoni me kreshtë; 19 lloje zvarranikësh: Bolla laramane, Bolla me katër vija, Nepërka, Breshka e zakonshme, etj.

Takohen rreth 141 lloje shpendësh, midis tyre disa lloje rezidente, si: Bufi, Shqiponja e malit, Krahëthati, Gjeli i egër, Qukapiku i zi, Korbi, por dhe disa lloje që riprodhohen në park, si: Gjeraqina e shkurtës, Gjeraqina, pak çifte riprodhuese të shqiponjës gjarpërngrënëse dhe Huta grerëzangrënëse; përhapje të konsiderueshme kanë: Thëllëza e malit, rreth njëqind çifte riprodhuese, Pëllumbat e egër, Mëllenja, Shapka malit etj.

Janë prezent 34 lloje gjitarësh, midis tyre edhe të rrezikuar, si: Ariu i murrmë, Derri i egër, Dhia e egër, Kaprolli, Macja e egër, Ujku, Dhelpra, Kunadhja, Baldosa, Lepuri i egër, Ketri, Iriqi, Nuselala, etj. Takohen disa lloje lakuriqësh nate si: Rhinolophus hipposideros, Miniopterus schreibersi dhe Myotis capaccinii, që riprodhohen në shpellat e parkut.

METT_2025_Paneli Kryesor / Dashboard

METT_2024_Paneli Kryesor / Dashboard