Parku Natyror “Qafështamë”, me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 60, datë 26.1.2022 u miratua ndryshimi i statusit dhe sipërfaqes së ekosistemit natyror “Qafështamë” nga “park kombëtar” (kategoria II e zonave të mbrojtura) në “park natyror” (kategoria IV e zonave të mbrojtura), me sipërfaqe nga 2 000 ha në 6 864.36 ha.
Ndodhet në verilindje të qytetit të Krujës, në jug të malit të Skënderbeut, në qafën midis këtij mali dhe malit të Xibrit, në lartësitë nga 525-1,724m. Përshkohet nga rruga automobilistike që lidh Krujën me Burrelin dhe luginën e Matit. Dallohet për natyrën e veçantë, me forma interesante të relievit strukturor, akullnajor dhe eroziv, për peizazhin mahnitës, burimet me ujë të pastër, të ftohtë dhe kurues; për botën e egër të pasur dhe të larmishme.
Bën pjesë në zonën malore qëndrore. Përfshin një ekosistem natyror tokësor i vendosur kryesisht mbi formacione gjeomorfologjike ultrabazike, flish alevrolite-ranoro-mergelor dhe gelqeror-mergelor. Në jug;indje të grykës së Matit ngrihet Mali i Skënderbeut (1,724m), me majën e Shkallës së Valës dhe të Mëllezit (1,113m), të përbëra nga gëlqerorë. Më në juglindje gëlqerorët ngushtohen, ulen dhe marrin karakterin e blloqeve të veçuara.
Vargjet malore të Skënderbeut përbëhen nga dy vargjet kryesore: nga vargu Krujë-Dajt, në perëndim, dhe vargu mali i Skënderbeut-Mali me Gropa, në lindje. Midis këtyre qafave dallohet Shkalla e Vajës dhe Qafa e Shtamës (1,230m) etj. Zona ndërtohet nga gëlqeroret e Trias-Jurasit dhe të Kretës së sipërme, nga magmatiket dhe pjesërisht nga flishe.
Vargu malor Krujë-Dajt karakterizohet nga një strukturë e rrudhosur e tipit linear e prirur nga perëndimi, me njërin krah të përmbysur, zakonisht të ndërlikuar nga shkëputjet tektonike, e cila kalon gjatë rrëzës perëndimore, të vargut malor Krujë-Brar-Dajt.
Vargjet malore ndërpriten tërthor nga luginat lumore të përrenjve Zezës dhe Drojës, që formojnë në gryka të thella e tepër të ngushta që presin vetëm vargun Krujë-Dajt. Shtretërit e këtyre përrenjve kanë gjerësi prej 10-40m, në lumin e Zezës, shtrati zgjerohet 50-80m. Duke vazhduar rrjedhjen e tyre nga lindja në perëndim, kanë formuar dy gryka të ngushta dhe të thepisura: Shkallën e Vajës dhe Grykën e Zezës.
Në zhvillimin morfologjik të vargut rol të madh kanë luajtur thyerjet tektonike dhe zhvillimi i vrullshëm neotektonik Pliocen-Kuaternar. Rrjedhim i këtij copëtimi është formimi i një relievi me kontraste të theksuara si: Mali i Krujës (1,422m), etj.
Mali i Krujës, përbëhet nga shkëmbinj gëlqerore të Kretakut të sipërm dhe Eocenit. Pjesa e poshtme e shpateve mbulohet kryesisht nga Flishi-Oligocenik. Përfaqëson një strukturë të rrudhosur, të tipit linear me krah perëndimor, të përmbysur e të ndërlikuar nga shkëputjet tektonike. Në veriperëndim ulet gradualisht me një reliev të butë karstik, në drejtim të Laçit dhe Milotit, kurse në jugliindje bie thikë mbi grykën e Zezës, që e ndan nga mali i Gamtit dhe i Brarit. Lartësia e faqeve kufizuese arrin 700-800m, pjerrësia 50-700, duke formuar në këtë mënyrë humnera e rrëpira vertikale. Mbulesa bimore është relativisht e varfër. Përfaqësohet nga llojet e dushkut, Ahu dhe halorët, në rrëpirat (shpati perëndimor). Në grykat lumore bimësia është relativisht e dëndur. Dallohet veçanërisht kati i makjeve (Mare, Shqope, Xinë, Ilqe e Mrete).
Tracking progress towards global targets for protected and conserved areas.
© 2023 Parqet Kombëtare. Zonat e Mbrojtura. All rights reserved.