Rezervat Natyror i Menaxhuar “Kune – Vain – Tale – Patok – Fushëkuqe – Ishëm”, me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 60, datë 26.1.2022 u miratua ndryshimi i sipërfaqes së ekosistemeve natyrore “Kune – Vain – Tale – Patok – Fushëkuqe – Ishëm”, shpallur” rezevat natyror të menaxhuar” (kategoria IV e zonave të mbrojtura), nga 93 693.9 ha në 8 092.3 ha.
a. Rajoni “Kune-Vain-Tale”, shtrihet në veriperëndim të Shqipërisë. Rajoni lagunor përfshin lagunat e Kunes (10 km2), Merxhanit (2.5 km2), Knallës (2.2 km2), Cekës (2.2 km2), Vainit (14.5 km2) dhe deltën e Drinit të Lezhës.
Është sistemi ligatinor më i ndërlikuar, i vendosur në deltën e rrjedhjes së poshtme të Drinit, të Lezhës, në breg të detit Adriatik.
Ndodhet shumë afër qytetit të Shëngjinit dhe pranë fshatrave Ishull Lezhë, Ishull Shëngjin, Tale etj. Përfshin habitate tokësore, laguna, moçale dhe këneta.
Territori përbëhet nga depozitime kënetore, detare e lumore të kuaternarit. Të parat përfaqësohen nga argjila, rëra argjilore e rëra të imëta, me trashësi rreth 1 m, ndërsa trashësia e tokave të pasura me lëndë organike arrin 0,1-0,2m. Depozitimet detare, kryesisht rëra, formojnë brezin 100-300m të gjerë dhe 20-25 m të thellë në bregdet.
b. Rajoni “Patok-Fushëkuqe-Ishëm”, me sipërfaqe rreth 47 km2 ndodhet përgjatë bregdetit bregdetit të Detit Adriatik, në perëndim të Shqipërisë, midis deltës së Lumit Mat dhe Kepit të Rodonit.
Ndër sipërfaqet më të rëndësishme janë Laguna e Patokut, delta e Lumit Mat, Droja, kënetat e Godullës dhe Negli.
Vija bregdetare e rezervatit, tepër dinamike, është shumë e ndërliqur: delta në formim dhe të braktisura; breza litoralë të rinj dhe të vjetër; sektorë në gërryerje intensive; laguna të vjetra drejt kënetëzimit dhe në formim e sipër. Në sektorin midis deltës së Matit dhe asaj të Ishmit evolucioni i fushës dhe përparimi i saj drejt detit u kushtëzua nga formimi dhe evolucioni i vazhdueshëm i lagunave detare midis dy deltave fqinje.
Në fushën midis Laçit dhe lagunës së Patokut gjenden tri mbetje të brezave të vjetër litoralë, mbi të cilët u vendosën qendrat e banuara (Gore, Fushëkuqe, Patok) për t’u shpëtuar përmbytjeve të lumenjve apo lagështirës së tepërt.
Rritja e brezit litoral fillon nga kepat ose nga mbetjet e deltave të vjetra të lumenjve, duke sjellë formimin e gjireve detare dhe, më pas, të lagunave bregdetare. Në këtë sektor janë formuar katër brezni lagunash, që kanë ndjekur njëra-tjetrën, si pasojë e bllokimit të lidhjes dhe të komunikimit me detin.
Në perëndim ndodhet laguna e Patokut, e cila po shkon drejt kënetëzimit gradual, ndërsa përballë saj po formohet një lagunë e re, që po veçohet nga deti nëpërmjet një brezi litoral, që zë fill në kepin jugor të deltës së Matit.
Mbi këtë brez litoral, rreth 1-2m mbi nivelin e detit dhe me shtrirje paralele me të parin, pas rreth 30 vjetësh është instaluar bimësia dhe është formuar plazhi i ri, ku kanë filluar edhe ndërtimet turistike.
© 2023 Parqet Kombëtare. Zonat e Mbrojtura. All rights reserved.